Questo sito utilizza cookie tecnici, analytics e di terze parti.
Proseguendo nella navigazione accetti l'utilizzo dei cookie.

Preferenze cookies

Intervista e Ministres së Punëve të Jashtme Federica Mogherini gjatë visitës në Tiranë më 25 korrik 2014

Intervista e Ministres së Punëve të Jashtme Federica Mogherini me gazetarin Carlo Bollino me rastin e vizitës në Tiranë më datë 25 korrik, gjatë turit në kryeqytetet e vendeve të Ballkanit Perendimor në kuadrin e Presidencës Italiane të Këshillit të Bashkimit Evropian.

 


Nëpërmjet kësaj vizite Ministrja italiane kërkon të japë një mesazh të qartë mbi rëndësinë që i kushtohet perspektivës evropiane të gjithë rajonit. Zgjerimi i Bashkimit Evropian me Ballkanin përbën në fakt një nga përparësitë e programit të presidencës italiane.


 


Shefja e diplomacisë italiane u takua në Tiranë me homologun shqiptar Ditmir Bushati, me Zv. Kryeministrin Niko Peleshi, Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, Presidentin e Republikës Bujar Nishani si dhe me Kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha.


 


INTERVISTA


Zonja Ministre, ju mbërrini në Shqipëri në etapën e katërt të një turi që po bëni përreth disa kryeqyteteve të Ballkanit. Përse ky tur dhe përse pikërisht tani?


Vendosa të kryej në Ballkanin Perëndimor një ndër të parat vizita jashtë Vendit prej momentit kur Italia mori kryesimin e rradhës së Këshillit të BE-së, kjo për të vënë dhe një herë në pah mbështetjen ndaj integrimit dhe të ardhmes europiane të të gjithë Rajonit. Çka përbën një ndër përparësitë tona të gjashtëmujorit të Kryesimit e dëshirojmë të jetë në qendër të axhendës europiane. Në kuadër të një tour-i të vetëm, dëshiroja të vizitoja të gjitha kryeqytetet e Vendeve të Ballkanit perëndimor pikërisht për të vënë theksin në faktin se problemet duhen trajtuar nga një këndvështrim rajonal dhe jo vetëm në rrafshin dypalësh, ndaj nevojitet të inkurajohen më tej marrëdhëniet mes Vendeve të Rajonit. Vizitën në Tiranë e kam fort për zemër, jo vetëm për shkak të lidhjeve të veçanta mes dy Vendeve tona por dhe si rrjedhojë e vendimit të fundit të BE-së për njohjen e statusit të Vendit kandidat të Shqipërisë, qëllim të cilin Italia e ka mbështetur gjithnjë me vendosmëri. Por edhe si rrjedhojë e lidhjeve të miqësisë së hershme me Kryeministrin Rama. Kryesimi italian synon të vijojë me mbështetjen e rrugëtimit drejt integrimit të plotë europian të Shqipërisë. Ndodhem këtu pikërisht për të theksuar dhe një herë angazhimin dhe mbështetjen tonë ndaj rrugëtimit të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare me synim fuqizimin e Vendit dhe përafrimin e tij me standartet europiane.  
          
Italia ka qenë gjithnjë përkrah Shqipërisë në procesin e integrimit. Sipas mendimit tuaj, çfarë ka vonuar deri në muajin qershor të këtij viti dhënien Shqipërisë të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian?
 
Për çdo Vend që synon të përshkojë rrugëtimin drejt integrimit në BE, vendimi merret në përputhje me reformat e kryera. Rasti i Shqipërisë dëshmon se Europa i përmbahet angazhimeve të marra në rast se gjejnë zbatim masat e nevojshme për arritjen e synimeve të caktuara. Në muajin tetor Komisioni europian paraqiti një vlerësim pozitiv por me disa vërejtje. Ne, si dhe disa Vende të tjera, do të kishim parapëlqyer njohjen e menjëhershme të statusit te vendit kandidat, por shtyrja e kësaj njohjeje shërbeu për të konfirmuar dhe një herë vullnetin politik të qeverisë së re shqiptare për të vepruar me vendosmëri, kryesisht në fushën e drejtësisë dhe të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ka ende reforma që duhen kryer, është një angazhim jo fort i thjeshtë e që kërkon bashkëpunimin konstruktiv të të gjitha forcave politike si dhe vetëdijen se kemi të bëjmë me masa të cilat janë në interes të Vendit si dhe në mbështetje të zhvillimit ekonomik e social.       


 


Pas takimit të kohëve të fundit të kryeministrit Edi Rama me kancelaren Angela Merkel, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Gjermanisë po shkëlqejnë si kurrë më parë. Ky “avancim drejt Jugut” i diplomacisë gjermane a rrezikon të pengojë pozicionin përparësor politik italian në këtë pjesë të rajonit?
 
Sigurisht që jo! Mendoj se është një fakt tejet pozitiv, tashmë ka ardhur koha që të dalim përtej kornizës së logjikës së konkurrencave kombëtare në gjirin e Bashkimit Europian, për të krijuar një veprimtari të përbashkët sinergjie e bashkëpunimi. Besoj se suksesi i Shqipërisë në përftimin e statusit të Vendit candida për anëtarësimin në BE, përfaqëson një vlerë të rëndësishme politike për të gjithë Bashkimin Europian. Si Gjermania ashtu dhe Italia gjithmonë janë angazhuar në dobi të integrimit. Janë synime të përbashkëta për të cilat punojmë së bashku e po së bashku i vlerësojmë kur arrihet realizimi i tyre. Zgjerimi historik i 2004, si dhe zgjerimet e mëtejshme, kanë dhënë ndihmesën e tyre në stabilizimin e Vendeve të reja anëtare, në përmirësimin në mënyrë domethënëse të nivelit të jetësës, në modernizimin e ekonomisë dhe të kuadrit ligjor. Njëkohësisht kanë krijuar mundësi të reja investimi dhe eksportimi për sipërmarrjet e Vendeve “të vjetra” anëtare.       
Tashmë mbetet të plotësohet ky proces me integrimin në Bashkimin Europian të Vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe në këtë rast, do të jetë vendimtar angazhimi i Vendeve të mëdha si dhe ai Vendeve më aktive në Rajon. Kam bindjen se falë historisë dhe vendndodhjes së saj gjeografike, Italia do të vazhdojë të luajë një rol të pazëvendësueshëm në këtë rajon. Së bashku me Vendet e tjera.   


Në Shqipëri vijojnë të mungojnë investimet italiane në sektorët strategjikë, të tillë si energjetika dhe telekomunikacionet dhe kjo, pavarësisht nga fakti që në shkëmbimet tregtare Italia qendron në vend të parë. Si e shpjegoni këtë dobësi dhe çfarë mendon të bëjë qeveria juaj?


Investimet italiane në Shqipëri janë realizuar kryesisht nga sipërmarrjet tona të vogla e të mesme, të cilat kanë hasur një sistem prodhimi ndërmarrjesh të përmasave të vogla, shumë i ngjashëm me atë italian, duke u përqëndruar në sektorin e industrisë përpunuese. Zëmë vendin e parë përsa i përket numrit të sipërmarrjeve, veçanërisht të vogla e të mesme. Por nuk mungojnë dhe investimet e rëndësishme nga ana e ndërmarrjeve të mesme apo të mëdha në sektorin bankar, në atë të magazinimit të produkteve të hidrokarbureve dhe të energjisë. Sigurisht që industria jonë mund të kishte zënë një vend më të rëndësishëm në fushën e telekomunikacionit, të shfrytëzimit të burimeve minerare dhe të sigurimeve. Por vërehet një interes gjithnjë në rritje kah këtij tregu nga ana e sipërmarrësve tanë, jo vetëm nga pikëpamja e integrimit prodhues por dhe si një urë për t’i bërë ballë tregut më të gjerë rajonal e së bashku me qeverinë shqiptare jemi duke punuar për t’a shndërruar këtë interes në investime konkrete. Në mënyrë të veçantë nevojitet, nga njëra anë, një njohje më e mirë e mundësive që ofron Shqipëria, dhe nga ana tjetër e ndërvarjes së ekonomive tona dhe e konkurrencës së sistemit tonë industrial, dhe në sektorë me natyrë thellësisht teknologjike. Rrugëtimi europian i Shqipërisë, me procesin e reformave, do të ketë ndikime pozitive në aftësinë përthithëse të këtij tregu si dhe do të bëjë të mundur përmirësimin e klimës sipërmarrëse dhe kapërcimin e atyre vështirësive që në të kaluarën frenuan investimet.                
 
Ambasada italiane në Tiranë është kthyer në një pikë referimi për qeverinë e re shqiptare në çështjet e politikës së jashtme dhe për projektet e zhvillimit ekonomik. Mendoni se Shqipëria, si një vend ku investohet, mund të ndihmojë ndërmarrjet italiane të dalin nga kriza?
 
Patjetër. Mendoj se Shqipëria ka një potencial ende pjesërisht të pazbuluar për shoqërine italiane dhe falë pozicionit strategjik si portë hyrëse në gjithë Rajonin e Ballkanit. Disa faktorë që e bëjnë kaq tërheqëse janë krahu i punës i kualifikuar, regjimi fiskal shumë konkurrues, sistemet prodhuese të ndërvarura, afërsia gjeografike dhe njohja e mirë gjuhës italiane. Sa më sipër vërtetohet edhe nga interesi në rritje i sipërmarrjeve italiane ndaj Vendit, së fundi të favorizuara edhe nga udhëtimet e shpeshta të Kryeministrit Rama në Itali me qëllimin për të tërhequr vëmendjen e investitorëve tanë drejt Vendit të Shqiponjave. Pikërisht ky interes në rritje, i regjistruar nga Ambasada jonë në Tiranë gjatë vitit të fundit, solli idenë e organizimit në muajin maj të “Javës Italiane në Shqipëri”, ku morën pjesë mbi 180 sipërmarrje italiane.
 
Sa u përket investitorëve strategjikë, po ju përmend rastin e kompanisë ENEL, e cila nuk mund të operojë më në Shqipëri për faj të një vendimi të diskutueshëm të Gjyqësorit lokal, mbi të cilin madje është paraqitur ankesë edhe në Gjykatën e Strasburgut. Mendoni edhe ju ashtu si Brukseli, që reforma e Gjyqësorit për një drejtësi të drejtë dhe transparente do të ishte emergjenca e vërtetë për vendin?
 
Nuk më takon të jap një gjykim për këtë çështje, por sigurisht reforma e sistemit të drejtësisë është pjesë e pesë prioriteteve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, një parakusht për integrimin e Shqipërisë në një sistem, si ai komunitar, që bazohet në parimet e shtetit të së drejtës. E drejta komunitare është pjesë thelbësore e legjislacionit të vendeve anëtare, të cilët duhet të zbatojnë me përpikmëri normat evropiane. Kjo do të thotë se, kur Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, do të jenë gjykatësit shqiptarë që do të garantojnë zbatimin uniform të së drejtës evropiane në favor të gjithë qytetarëve dhe të sipërmarrjeve të Bashkimit. Në përgjithësi, kjo e bën të pashmangshme përshtatjen e sistemit gjyqësor shqiptar, i cili do të duhet të garantojë standarde evropiane.  Nga ana tjetër, funksionimi i mirë i drejtësisë është një kusht i domosdoshëm për të luftuar në mënyrë efikase korrupsionin dhe krimin e organizuar, dy sektorët e tjerë prioritarë të Komisionit Evropian.
 
Projekti IADSA midis Shqipërisë dhe Italisë është një shembull shumë i mirë i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve: Italia mendon të vazhdojë në këtë rrugë, duke e përforcuar këtë formë ndërhyrjeje?

 
Programmi Italo-Shqiptar i Konvertimit të Borxhit (IADSA) ka filluar në vitin 2012 dhe ka rezultuar një mjet shumë fleksibël dhe i efektshëm për t’iu përgjigjur përparësive kryesore të zhvillimit social të përcaktuara nga institucionet publike shqiptare, si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel vendor. Bëhet fjalë për masa që stimulojnë besim dhe solidaritet social dhe që propozojnë një zhvillim rajonal të ekuilibruar. Programi parashikon dhënien e një fondi me vlerë 20 milionë euro në vit, për 4 vjet. Italia ka financuar nisma me vlerë 4.5 milionë Euro në vitin 2013 dhe në vijim do të financojmë nisma të tjera me vlerë 5 milionë Euro. Gjithashtu është në studim mundësia për të akorduar edhe 20 milionë euro në kuadrin e Protokollit të ri Italo-Shqiptar të Bashkëpunimit 2014-2016, që parashikon një shumë totale me 81.7 milionë Euro dhe që do të firmos pikërisht gjatë misionit tim në Tiranë. Kjo e bën Shqipërinë ndër përfituesit kryesorë të kooperacionit italian, që, gjatë këtyre dy dekadave, ka dhënë mbi 700 milionë Euro për programet e zhvillimit. Sipas të dhënave të autoriteteve shqiptare, Italia, me një mesatare fondesh që në pesë vitet e fundit kap shifrën 34 milionë Euro në vit, është në vend të parë ndër donatorët dypalësh dhe e dyta vetëm pas Bashkimit Evropian.
 
Në Shqipëri policia sfidoi monopolin e bosëve, duke sulmuar dhe pushtuar kryeqytetin e marihuanës, Lazaratin, duke u dhënë kështu një goditje të rëndë trafiqeve. Problemi i kriminalitetit megjithatë mbetet gjithnjë i pranishëm. Si po kontribuon dhe si do të mund të kontribuojë Italia në këtë betejë, vendimtare edhe sa u përket pasojave ndaj vendit tonë?
 
E vlerësova shumë, ashtu si kolëgët e mi, brenda dhe jashtë BE-së, operacionin e guximshëm me të cilin policia shqiptare rivendosi kontrollin në Lazarat. Me këtë operacion, qeveria Rama, dhe në veçanti Ministri Tahiri, dëshmuan vendosmëri në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
Lufta ndaj krimit të organizuar do të jetë përcaktuese per Shqipërinë për të arritur integrimin evropian dhe Italia, ashtu si Bashkimi Evropian, dëshiron të asistojë në këtë sektor, edhe falë bashkëpunimit njëzëtvjeçar. Që prej viteve ’90 ka nisur bashkëpunimi me Departamentin italian të sigurisë publike, që ka ndikuar në rritjen e Policisë së Shtetit shqiptar me aktivitete formuese dhe pajisjen me mjete dhe aparatura. Ka gjithashtu bashkëpunime dypalëshe për luftën ndaj tregtisë së drogës.   
Parësor në luftën ndaj krimit të organizuar është edhe konsolidimi i policisë dhe magjistraturës. Edhe në këtë sektor, Vendi ynë ofron një kontribut të rëndësishëm me programin evropian të drejtuar nga misioni italian Pameca.
 
Kryeministri Renzi duket se ka arritur të realizojë mrekullinë e dialogimit me Berluskonit dhe të hapë një tryezë dialogu me Lëvizjen “5 Yje”. Në ç’mënyrë mund të ndihmojë Italia edhe Shqipërinë për të vendosur një dialog ndërmjet mazhorancës dhe opozitës?
 
Mendoj se dialogu është çelësi, si në polikën ndërkombëtare ashtu edhe në politikën e brendshme. Vetë Evropa ushqehet me dialogun mes Institucioneve dhe Shteteve Anëtare, vazhdimisht të angazhuar në gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta. Dialogu është jetësor për të arritur qëllime të rëndësishme, si për shembull integrimi i Vendit në BE: synim i përbashkët jo vetëm për qeverinë dhe opozitën, por edhe i dëshiruar prej popullit shqiptar. Është një rrugëtim jo i lehtë, në të cilin Bashkimi Evropian dhe Italia do të vazhdojnë të asistojnë, por thelbësor do të jetë kontributi konstruktiv i opozitës dhe bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare. Ftesa për dialog dhe bashkëpunim konstruktiv do të jetë një ndër mesazhet kryesore që do t’u përcjell përfaqësuescve të institucioneve gjatë vizitës në Tiranë.
 
Kjo është vizita tuaj e parë në Shqipëri si ministre e Jashtme, por jo si politikane. Çfarë kujtoni nga vizitat tuaja të mëparshme dhe me cilët politikanë lokalë keni mbajtur marrëdhënie?
 
Kam qenë për herën e fundit në Tiranë dy vjet më parë, pa u bërë ministre, gjatë presidencës shqiptare të Këshillit të Evropës. Në atë rast, veç takimeve zyrtare, pata rastin të ritakoja Edi Ramën, që e njoh prej shumë kohësh; me të më lidh një miqësi e thellë dhe konsideratë e lartë.