Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, në një ceremoni të zhvilluar sot në ambientet e Institucionit të Presidentit të Republikës, nderoi Amabsadorin Roberto Nigido me “Dekoratën Nënë Tereza” në shenjë mirënjohjeje për angazhimin në hartimin dhe zbatimin me sukses të operacionit ‘Alba’ gjatë krizës së vitit 1997 në Shqipëri, si dhe për sigurimin e mbështetjes politike dhe ekonomike të Italisë në kapërcimin e krizës, në interes edhe të stabilitetit e paqes në të dyja anët e Adriatikut dhe hapësirës evropiane.
Ndërsa Gjenerali Giuseppe Cucchi u vlerësua me “Dekoratën e artë të shqiponjës” në shenjë mirënjohjeje për ideimin, përcaktimin dhe drejtimin me sukses të operacionit ‘Alba’ në Shqipëri, në çastet e vështira të krizës së vitit 1997, nëpërmjet nxitjes së nismave të ndryshme në Itali dhe koordinimit mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Italisë, në mbështetje të operacionit dhe rikthimin e rendit e qetësisë në vend.