Questo sito utilizza cookies tecnici (necessari) e analitici.
Proseguendo nella navigazione accetti l'utilizzo dei cookie.

Fillojnë punimet për rehabilitimin e rrjetit hidrik të Tiranës

Ambasadori i Italisë Alberto Cutillo mori pjesë sot në Bovillë në ceremoninë e përurimit të punimeve të rehabilitimit të Rrjetit Hidrik të Tiranës, një projekt që do të zbatohet falë një kredie të butë të Agjencisë Italine per Bashkëpunimin dhe Zhvillim me vlerë rreth 10 milion euro, si pjesë e një programi më të gjerë për të mbështetur sistemin hidrik shqiptar, me një angazhim financiar mbi 27 milionë euro.

Morën pjesë në ceremoni edhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së Alqi Bllako, Drejtori i Zyrës AICS në Tiranë Nino Merola, si dhe administratorët e HTC Costruzioni dhe AI Engineering Srl, dy kompanitë italiane të përzgjedhura për të kryer punimet dhe shërbimet inxhinierike.

Punimet që nisën në ditën e sotme parashikojnë ndërtimin e një tubacioni të ri, dhe të strukturave mbështetëse, midis Liqenit të Bovillës dhe impiantit të pastrimit të ujit të pijshëm, si dhe realizimin e një by-pass-i të ri prurës në zonën e Tiranës i cili do të zëvendësojë tubacionin ekzistues, përgjatë një rruge alternative. Këto ndërhyrje do të bëjnë të mundur rregullimin e furnizimit me ujë të qytetit të Tiranës, eliminimin e ndërprerjes së shërbimit dhe rrezikun e ndotjes së ujit të pijshëm nga ujërat e ndenjura, si dhe përshtatjen e sistemit të matjes së rrjedhës dhe monitorimit të presionit.

Synimi përdundimtar është pra i dyfishtë: përmirësimi i ndjeshëm në nivelin e shërbimit të shpërndarjes së ujit të pijshëm për popullatën dhe menaxhimi më i mirë i burimeve ujore nga Enti i Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës.

Ambasadori Cutillo, pasi kujtoi se në kuadër të programit mbështetës italian per sistemin hidrik në vitet e fundit janë realizuar në favor të rrjetit të ujësjellësit të Tiranës dhe të menaxhimit të UKT-së ndërhyrje të ndyshme urgjente dhe shërbime asistence teknike, sipas standardeve më të mira evropiane, nënvizoi se si dita e sotme shënon një faqe të re pozitive të miqësisë dhe mbështetjes italiane për Shqipërinë, këtë herë në shenjën e një pasurie të vyer dhe themelore për të gjithë qytetarët, siç është uji.