Tiranë 9 prill 2019 – Realizimi i një integrimi më të thellë energjitik rajonal për një treg më konkurrues, duke garantuar njëkohësisht përfshirjen e plotë dhe aktive të sektorit privat në proceset e reformës së Sektorit energjitik shqiptar dhe rajonal në një moment delikat të tranzicionit energjitik, me qëllim mbrojtjen e kërkesave të ligjshme të sipërmarrjeve të pranishme në territor si dhe të investitorëve të rinj të huaj në Vend. Ky është mesazhi kryesor i Ambasadës së Italisë në Tiranë, i Zyrës Agjencia ICE Tiranë, i Dhomës së Tregtisë italiane në Shqipëri dhe i Confindustria Albania, në kuadër të riaktivizimit, ditën e hënë më 8 prill, pranë Ambasadës së Italisë, të Tryezës së energjisë, një forum i përhershëm takimi me sipërmarrjet italiane të pranishme në sektorët e ndryshëm të energjisë, me qëllim përballjen e problematikave kryesore dhe sfidave të së ardhmes si dhe mundësive të investimeve në Shqipëri, nga pikëpamja e mbështetjes maksimale institucionale italiane.
Këto tematika u trajtuan sot gjatë punimeve të workshop-it “Tranzicioni energjitik dhe sfidat për një treg energjitik të lirë dhe të integruar: rasti i Shqipërisë” në të cilin, nga Italia, morën pjesë Autoriteti Rregullator i Energjisë së Rrjetit dhe Mjedisit (ARERA), i Administrimit të Tregjeve Energjitikë (GME) si dhe Terna, të cilët janë të angazhuar në një projekt të asistencës teknike me Entet Rregulluese të Shqipërisë , të Serbisë dhe të Malit të Zi, me mbështetjen financiare të fondit CEI, financuar tërësisht nga qeveria italiane.
“Fuqizimi i ndërlidhjes energjitike rajonale, integrimi progresiv me Tregun energjitik europian si dhe hyrja e Shqipërisë, falë realizimit të gazsjellësit TAP, në zonën e ndërlidhjeve energjitike globale, përbëjnë njëkohësisht mundësi të mëdha si dhe sfida gjithnjë në rritje të cilat Vendi mund t’i kapërcejë plotësisht dhe të korrë sukses vetëm me përfshirjen e plotë të të gjithë aktorëve të interesuar, përmes hapave që udhëhiqen nga respektimi i parimeve themelore sikurse gjithpërfshirja, transparenca dhe respektimi i dispozitave ligjore” u shpreh Ambasadori Cutillo gjatë punimeve të workshop-it. “Konteksti referues nuk mund të jetë tjetër veçse ai që është ndjekur në kuadër të rrugëtimit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, sikurse dhe nismat rajonale në mbështetje të Rajonit, duke nisur nga Procesi për Ballkanin Perëndimor dhe nga mekanizmat rajonalë si Nisma për Europën Qëndrore, në kuadër të së cilës këtë vit Italia ka Kryesimin e rradhës, ku angazhimi dhe objektivi i përbashkët ka të njëjtin kah të përbashkët, pra fuqizimin e e bashkëpunimit rajonal dhe krijimin e një zonë të zhvilluar e të ndërlidhur”, vijoi më tej Ambasadori.
“Hyrja në funksionim e kavos ndërlidhëse Itali – Mali i Zi, e parashikuar brenda gjysmës së dytë të këtij viti, do të kontribuojë në rritjen e shkëmbimeve energjitike mes Italisë dhe rajonit ballkanik”, u shpreh Stefano Saglia, anëtar i Kolegjit ARERA, i pranishëm në takim.
Teksa parashtroi perspektivat dhe kërkesat e sipërmarrjes italiane në Shqipëri, Giordano Gorini, Zëvendës Kryetar i DHTISH dhe i Confindustria Albania i ngarkuar për sektorin energjitik, shtoi: ”investimet në sektorin energjitik në Shqipëri, kryesisht në atë të energjisë së rinovueshme, janë faktikisht e konkretisht të realizueshme me kusht që të integrohen normativat dhe tarifat në përputhje me standartet europiane në kuadër të një tregu rajonal të zgjeruar. Urojmë që kjo të ndodhë pasi do të krijonte kushtet për investime të reja e që do t’i përgjigjeshin nevojave të zhvillimit të Vendit”.
Me qëllimin për të përfshirë të gjitha palët në këtë fazë tranzicioni, mirëpresim me kënaqësi të veçantë angazhimin e Ministrit Shalsi dhe Zëvendës Ministrit Bejtja për ta hapur tryezën teknike të sektorit të energjisë edhe për shoqatat e biznesit dhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.
Punimet e takimit u mbyllën nga Drejtoresha e Zyrës Agjencia ICE Tiranë, Elisa Scelsa. “organizimi i përbashkët i këtyre nismave është pjesë e follow up-it të Misionit të Sistemit sipërmarrës të shkurtit 2018, ku ndër sektoret parësorë është pikërisht ai energjitik. Italia ka ndërmarrë liberalizimin e sektorit tashmë prej 20 vitesh dhe sot zotëron ndër teknologjitë më të përparuar europiane përsa i përket shkëmbimit të energjisë së rinovueshme. Sektori energjitik është ndër sektorët kyç për të ardhmen e ekonomisë shqiptare dhe për të përftuar plotësisht përfitimet, përsa i përket investimeve të reja të huaja, duhet detyrimisht të realizojë reformat strukturore të ndërmarra tashmë si në kuadër të politikës së saj energjitike ashtu dhe përsa i përket një klime biznesi vendase.”