Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Njoftim për shtyp – Trajnim, në Itali, i 27 hetuesve shqiptarë të bkh-së

 

NJOFTIM PËR SHTYP

TRAJNIM, NË ITALI, I 27 HETUESVE SHQIPTARË TË BKH-SË (NATIONAL BUREAU OF INVESTIGATION)

Ka nisur sot trajnimi, i cili do të zgjasë një javë, i 27 hetuesve shqiptarë, anëtarë të BKH-së (National Bureau of Investigation), Zyrë shumë e ngjashme me Drejtorinë tonë Hetimore Antimafia (DIA) dhe që është pjesë e SPAK, strukturë e re e posaçme e ngritur në kuadër të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe që përfshin edhe Prokurorinë e Posaçme (SPO).

Në nisjen e punimeve morën pjesë për palën Italiane, Prefekti Vittorio RIZZI, Zëvendës Drejtues i Policisë, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Kriminale, i cili e ka dëshiruar shumë këtë nismë, dhe Drejtuesi i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Maurizio VALLONE, drejtor i DIA-s, ndërsa, për palën Shqiptare, z. Arben KRAJA, Drejtues i Prokurorisë së Posaçme dhe znj. Aida HAJNAJ, Drejtuese e BKH-së.

Italia ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi me Shqipërinë, jo thjesht për shkak të afërsisë gjeografike, por për shkak të rrënjëve të përbashkëta kulturore dhe pranisë, në Vendin tonë, të një komuniteti të madh shtetasish shqiptarë. Rezultatet operative të arritura në fushën e sigurisë nxjerrin në pah këtë bashkëpunim: Shqipëria zë, në fakt, vendin e parë ndër Vendet jo anëtare të Bashkimit Evropian, si për nga numri i personave të shpallur në kërkim nga autoritetet italiane e të ndaluar në Shqipëri, ashtu edhe përsa u përket ekstradimeve aktive dhe vendin e dytë ndër Vendet jo anëtare të Bashkimit Evropian për nga numri i personave të shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare e të ndaluar në Itali.

Në vitin 2020, janë arrestuar 68 persona të shpallur në kërkim nga Italia dhe këtë vit, në vetëm 5 muaj, të dhënat flasin për 47 subjekte të tillë: vetëm për të cituar ata më të fundit, Nikolla DURA dhe Rajmond HOXHAJ, i pari i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje dhe i dyti me 22 vite burgim për trafik droge.

Paralelisht, ekstradimet aktive në vitin 2020 kanë qenë 28 dhe, në periudhën e parë të vitit 2021, kanë arritur numrin 22.

Ndërsa personat e shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare e të ndaluar në Itali kanë qenë 24 në vitin 2020, ndërsa në pesë muajt e parë 2021 të vitit janë regjistruar 6 arrestime.

Trajnimi i cili nis sot, i realizuar në kuadër të projektit Pameca V, i financuar nga Bashkimi Evropian e i udhëhequr nga Italia, ka për qëllim të përforcojë më tej bashkëpunimin dypalësh policor midis Italisë e Shqipërisë, duke vënë në dispozicion të kolegëve shqiptarë ekspertizën më të mirë kombëtare mbi çështje strategjike si lufta ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Teksa niseshin nga Tirana, hetuesit shqiptarë janë përshëndetur, pranë Akademisë së Sigurisë, nga Ambasadori italian Fabrizio Bucci i cili dëshiroi të vërë theksin mbi cilësinë e punës së kryer bashkërisht në sektorin e policisë kriminale dhe atë të bashkëpunimit gjyqësor.

Veprimtaria trajnuese, e organizuar nga DIA, do të përbëhet nga seminarë tematikë në lëndë me interes të përbashkët, nga vizita në struktura të shkëlqyera si Shërbimi i Policisë Shkencore, Qendra Kërkimore për Analizën e Informacioneve Multimediale (CRAIM) dhe Policia Postare dhe e Komunikimeve.

Romë, më 7 qershor 2021