Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Njoftim për Shtyp – Rai rikthehet në Shqipëri

comunicato stampa

Sot, më datë 10 tetor, në Rezidencën e Italisë u mbajt Konferenca për Shtyp “Rai rikthehet në Shqipëri”, në përfundim të së cilës u nënshkrua marrëveshja historike mbi transmetimin, në të gjithë territorin kombëtar, të 24 programeve, serive televizive, dokumentarëve dhe filmave RAI.

Marrëveshja, e nënshkruar nga Angelo Teodoli, Administrator i Deleguar i RaiCom, dhe Enkelejdi Joti, Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, është fryt i bashkëpunimit me Ambasadën e Italisë në Tiranë dhe mbështetjes së sipërmarrjeve e institucioneve italiane në Shqipëri. Kjo marrëveshje do të bëjë të mundur hedhjen e hapit të parë drejt zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënies, tashmë të konsoliduar, me televizionin publik shqiptar. Marrëdhënie kjo që forcën e saj e gjen tek roli i jashtëzakonshëm që RAI ka luajtur gjithmonë në Shqipëri.

Ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci, gjatë fjalës së tij vuri theksin në faktin se: “Italia dhe Shqipëria janë vërtetë një Vend i vetëm … Rai, prania e së cilës këtu ka qenë historike, rikthehet më në fund në Shqipëri për kënaqësinë e publikut shqiptar. Marrëveshja që do të nënshkruhet sot mes RAI-te dhe RTSH-së do të japë një ndihmesë të mëtejshme në promovimin e Sistemit Vend, në tërësinë e tij, në Shqipëri ndërsa publikut shqiptar do t’i ofrojë mundësinë e shijimit të bukurisë së gjuhës dhe kulturës italiane”.

Drejtoresha për Çështjet Ndërkombëtare dhe Evropane të Rai-t, Simona Martorelli, theksoi se: “Rikthimi në Shqipëri për ne të RAI-it është njësoj si të rikthehesh në shtëpi. Lidhja jonë është e qëndrueshme jo vetëm falë afërsisë gjeografike por edhe vizionit të përbashkët. Për ne si RAI është e rëndësishme të arrijmë synimin kryesor, paraqitjen dhe bashkëndarjen e vlerave jo vetëm të Italisë por edhe të televizionit publik”.

Administratori i Deleguar i RaiCom, Angelo Teodoli, në fjalën e tij përshëndetëse nënvizoi, ndër të tjera, faktin se: “programimi i parashikuar nga kjo marrëveshje përfshin fiction, të cilat rrëfejnë përditshmërinë italiane, filma e dokumentarë si shprehje e kulturës dhe traditës italiane”.

Nëndrejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Redi Neziri, theksoi se: “një ndër marrëveshjet më frytdhënëse të RTSH-së është ajo me RAI-n, një marrëdhënie që konkretizohet sot me nënshkrimn e kësaj marrëveshjeje që për ne është një vlerë e shtuar”.

Zëvendës Ministrja e Kulturës, Meri Kumbe, deklaroi se: “pavarësisht zhvillimit të teknologjisë, televizioni mbetet një ndër mjetet më të fuqishme të informacionit. Falë këtij bashkëpunimi të ri ndërmjet RTSH-së dhe RAI-t urojmë që në qendër të vëmendjes të jenë të rinjtë dhe promovimi i vlerave të të dy Vendeve tona”.

rai in albania 1

rai in albania 2

rai in albania 3

rai in albania 4