Questo sito utilizza cookie tecnici, analytics e di terze parti.
Proseguendo nella navigazione accetti l'utilizzo dei cookie.

Preferenze cookies

Fjala e Ambasadorit Fabrizio Bucci në Konferencë për Shtyp Fushata e Mbikqyrjes nga ajri 2022 (Tiranë, 9 dhjetor 2022)

Fushata e mbikqyrjes nga ajri ka mbërritur tashmë në edicionin e saj të 11° dhe përbën një sukses në nivel rajonal.

Rezultatet në luftën ndaj fenomenit të kultivimit të kanabisit në Shqipëri, që prezantojmë sot janë, jo vetëm të rëndësishme, por edhe me interes të jashtëzakonshëm.

Dua t’i përcjell falënderimet e mia Policisë së Shtetit shqiptar për standartet e larta të arritura në luftën ndaj krimit të organizuar. Ju ftoj të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë.

Bashkëpunimi policor në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike luan një rol strategjik në interes të përbashkët të Italisë dhe Shqipërisë.

E, pikërisht falë këtij bashkëpunimi kemi realizuar me sukses operacionet e përbashkëta “Astrolabio” në luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore dhe emigracionit klandestin dhe “Dream Earnings“ ndaj mashtrimit nëpërmjet sistemit të tregtisë online.

Ndër shembujt e bashkëpunimit të çuar përpara gjatë vitit 2022 renditet dhe mbështetja e dhënë nga Italia në kuadër të sulmit kibernetik të pësuar nga Shqipëria gjatë muajve të kaluar.

Mbështetja italiane vijon të jetë e madhe dhe e shtrirë në të gjitha aspektet e luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe, në përgjithësi, në atë të sistemit të drejtësisë shqiptare.

Kjo mbështetje konkretizohet në një sërë mekanizmash dhe nismash që do të doja t’i rendisja, shkurtimisht, këtu:

– roli thelbësor i bashkërendimit dhe bashkëpunimit i luajtur nga Tryeza e punës midis Krerëve të Policisë italiane dhe asaj shqiptare, që në javët në vijim do të mbahet sërish në Romë (kujtoj këtu që Tryeza të tilla zhvillohen çdo gjashtë muaj);

– përvoja e konsoliduar e 12 Skuadrave të Përbashkëta Hetimore të cilat kanë arritur rezultate të rëndësishme: vetëm gjatë 12-15 muajve të fundit puna e tyre ka çuar në arrestimin e rreth 80 personave të shpallur në kërkim për llogari të Autoriteteve Gjyqësore italiane si dhe në sekuestrimin e rreth dy ton lëndë narkotike;

– roli i luajtur nga Agjencia jonë Kombëtare në luftën ndaj korrupsionit, ANAC, në procesin e formimit të funksionarëve shqiptarë;

– veprimtaritë e formimit të specializuar të realizuara nga Autoritetet tona të Policisë në favor të anëtarëve të BKH-së (Byroja Kombëtare e Hetimit);

– prania këtu në Shqipëri e katër magjistratëve italianë të cilët punojnë në mbështetje të reformës së drejtësisë shqiptare;

– programi i financuar nga Bashkimi Evropian, EU4LEA, në mbështetje të policisë shqiptare, nën drejtimin italian;

– bashkëpunimi, në sektorin e formimit të magjistratëve të rinj shqiptarë, midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë italiane dhe Shkollës shqiptare të Magjistraturës në të cilën jep mësim një magjistrat italian;

– vizita, së fundmi, në Tiranë e Prokurorit Kombëtar të Antimafia-s, Giovanni Melillo, falë së cilës u forcua më tej bashkëpunimi me SPAK-un;

– vizita në Shqipëri e Zëvendës Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese italiane, Prof. Nicolò Zanon, në kuadër të së cilës u hodhën themelet e bashkëpunimit midis Gjykatës Kushtetuese italiane dhe asaj shqiptare;

– kujtoj gjithashtu vizitën, më 7 qershor të këtij viti, të Ministres së Brendshme, Luciana Lamorgese. Shoqëruar nga Krerët e Policisë italiane, Prefektët Giannini dhe Rizzi, nga Komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanza-s, Gjeneral Zafarana, dhe nga Komandanti i Përgjithshëm i Armës së Karabinierëve, Gjeneral Luzi, Ministrja Lamorgese deshi kështu të kremtonte 25-vjetorin e nënshkrimit të protokollit italo-shqiptar që rregullon praninë e forcave të policisë gjyqësore italiane në Shqipëri.

Nga kjo paraqitje e shkurtër del në pah puna e madhe që kemi bërë së bashku. Por nevojitet të vijojmë rrugën e bashkëpunimit duke çuar më tej luftën ndaj çdo forme të krimit pasi bashkëpunimi i ndërsjelltë mbetet e vetmja rrugë.

Krimi i organizuar di, në fakt, të veprojë në nivel global, me shpejtësi dhe fleksibilitet. Nevojitet pra të veprojmë me të njëjtën shpejtësi, efikasitet dhe fleksibilitet të kriminelëve.

Do të doja, në përfundim, të përmendja këtu një tjetër fushë të rëndësishme në të cilin bashkëpunimi duhet të forcohet më tej. I referohem goditjes së pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe pastrimit të parave.

Falcone – tridhjetë vjetorin e vrasjes brutale të të cilit si edhe atë të prokurorit Borsellino e përkujtuam pikërisht këtë vit me një konferencë të zhvilluar në Tiranë – thoshte se për të luftuar mafien duhet të ndiqet paraja.

Pikërisht në këtë fushë duhet të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë për të bërë të mundur luftën ndaj krimit me efikasitet. Krimi duhet goditur atje ku i dhemb më shumë, atje ku fshihen interesat e vërteta dhe forca e tij e tij e vërtetë: pra, tek paratë dhe pushteti financiar.

Për ta mbyllur: jemi dhe do të jemi gjithmonë e më të vendosur për të punuar së bashku me Autoritetet shqiptare. Në luftën ndaj paligjshmërisë, krimit dhe korrupsionit, Italia është dhe do të jetë gjithmonë.