Questo sito utilizza cookies tecnici (necessari) e analitici.
Proseguendo nella navigazione accetti l'utilizzo dei cookie.

Fjala e Kryeministres Meloni në konferencën “Italia dhe Ballkani Perëndimor: rritje dhe integrim” (24 Janar, 2023)

Përshëndetje të gjithëve,

dëshiroj të falënderoj dhe të përgëzoj Ministrin e Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, i cili ndërmori këtë nismë të rëndësishme kushtuar një rajoni si ai i Ballkanit Perëndimor, me rëndësi strategjike për interesat kombëtare të Italisë. Italia, si Vend fqinj, e di fort mirë rëndësinë nevralgjike që ky rajon ka për të ardhmen e së gjithë Evropës. Përvoja na ka treguar se gjithçka që ndodh përtej Adriatikut pasqyrohet, menjëherë, tek ne.

Nuk mund të gjendej një vend më i përshtatshëm se ky për të mbajtur këtë Konferencë. Trieste dhe Friuli-Venezia Giulia janë ngushtësisht të lidhura, nga pikëpamja ekonomike dhe kulturore, me rajonin e Ballkanit. Trieste, “më italiania” e, njëkohësisht, “më bashkëkohorja”, përbën një urë lidhëse të jashtëzakonshme mes identitetit italian e latin dhe atij sllav e gjermanik. Rrjeti i sipërmarrjeve në këtë qytet përbën, gjithashtu, një shembull të shkëlqyer të aftësisë italiane për t’u afirmuar në tregjet ndërkombëtare, falë talentit dhe aftësisë krijuese të saj.

Dinamikat gjeopolitike aktuale e bëjnë këtë Konferencë edhe më të nevojshme. Lufta e Federatës Ruse në Ukrainë – e cila ka arritur sot në muajin e saj të njëmbëdhjetë – na vendos përpara disa zgjedhjeve strategjite të pashmangshme. Evropa ka një përgjegjësi të madhe ndaj Ballkanit dhe duhet të angazhohet për të afirmuar ndjenjën e përkatësisë së këtij rajoni në realitetin tonë dhe në vlerat tona. Pikërisht këtë mesazh përcolla edhe në takimin e Krerëve të Shteteve e të Qeverive të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor më datë 6 dhjetor në Shqipëri. Ishte tejet e rëndësishme që, pikërisht në Tiranë, angazhimi i Bashkimit Evropan ndaj rajonit të theksohej më tej me masa konkrete. I referohem këtu, për shembull, paketës prej një miliard euro në mbështetje të sektorit energjitik me qëllim zbutjen e efekteve të rritjes së çmimeve dhe dhënien e një ndihme konkrete për familjet dhe sipërmarrjet.

Por nuk duhet të ndalemi vetëm në masat me karakter ekonomik. Duhet, domosdoshmërisht, që Bashkimi Evropian të hartojë një strategji të re për këtë rajon duke e renditur çështjen e integrimit në BE të Vendeve të Ballkanit ndër prioritetet e tij. Nuk mund të lejojmë që ky rajon strategjik për Kontinentin tonë të vijojë të mbetet jashtë “Shtëpisë së përbashkët evropiane”. Arsye kjo për të cilën Italia do të vazhdojë të jetë e angazhuar në vijën e parë me synimin që procesi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor të vijojë me ritme më të shpejta e me më vendosmëri. Për ne është ndërkohë edhe një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme pasi ka të bëjë me sigurinë tonë kombëtare e, për këtë arsye, nuk mund ta lëmë pasdore.

Synimi i kësaj Qeverie është të çojmë “më shumë Itali në Ballkan”. Në fund të fundit është pikërisht kjo ajo që na kërkojnë të gjithë miqtë e rajonit e që pata rastin të konstatoj personalisht në takimet e zhvilluara në kuadër të Samitit të Tiranës. Sipërmarrjet italiane janë tashmë të pranishme në rajon, por duhet ta forcojmë më tej këtë prani e të investojmë në sektorët strategjikë. I referohem këtu jo vetëm sektorit infrastrukturor dhe energjitik por edhe zhvillimit të shoqërive të mesme e të vogla, sektor për të cilin modeli italian është në gjendje të ofrojë një përvojë të madhe. Në të njëjtën kohë, duhet të shfrytëzojmë maksimalisht mundësitë e ofruara nga Vendet e këtij rajoni, duke rritur më tej ndërmarrjet tona në këto tregje tejet të rëndësishme.

Sipërmarrjet janë mjaft aktive por duhet të jetë Institucionet italiane ato që duhet të bëjnë më shumë. Nuk mund të qëndrojmë pas atyre Vendeve me më pak përvojë se ne në këtë rajon. Për këtë arsye jemi angazhuar edhe më shumë dhe vërej se Ministria e jashte, e drejtuar nga Ministri Tajani, është gjithmonë e më aktive, si në marrëdhëniet politike ashtu dhe në ato ekonomike. Qeveria është këtu dhe e gatshme të zgjerojë praninë e sipërmarrjeve italiane në Ballkan. Konferenca e sotme përbën rastin për të diskutuar mbi mënyrat konkrete për të promovuar praninë e Italisë në këtë rajon si edhe për të institucionalizuar mundësitë domethënëse që Ballkani është në gjendje të ofrojë për ndërmarrjet italiane. Jam plotësisht e bindur për ndërveprimin midis sistemit tonë ekonomik dhe atij të Vendeve të Ballkanit Perëndimor. Jam gjithashtu e bindur për mundësitë për të zhvilluar forma të suksesshme bashkëpunimi, industrial dhe tregtar, midis dy brigjeve të Adriatikut.

Siguria dhe mirëqenia e të gjithë popujve të Ballkanit Perëndimor janë thelbësore për interesat kombëtare të Italisë. Për Vendin tonë nuk bëhet fjalë për të kaluar nga një partner tek tjetri e më pas për t’i injoruar të gjithë. Nuk është kjo ajo çka na kërkohet e nuk është kjo ajo çka duhet të bëjmë. Kemi bashkëpunuar gjithmonë me secilin prej fqinjëve tanë, në momentet e vështira, dhe u qëndrojmë pranë të gjithëve në angazhimin për rritjen e sigurisë së përbashkët. E gjitha kjo nuk mund të kryhet veçse në suazën evropiane. Prandaj punojmë për integrimin në Bashkimin Evropian të të gjitha Vendeve të rajonit dhe jemi të bindur se të mbështesësh stabilizimin dhe integrimin e plotë evropian do të thotë të punosh për një bashkëpunim në luftën ndaj korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme, në menaxhimin dhe në uljen e prurjeve migratore të paligjshme, në parandalimin e dhe në luftën ndaj radikalizmit dhe ndaj çdo forme të saj.

Të shumta janë sfidat që kemi përpara me qëllim forcimin e marrëdhënieve mes Italisë dhe Ballkanit Perëndimor. Kemi ende shumë punë për të bërë dhe kam bindjen se kjo Konferencë do të jetë një tjetër hallkë e rëndësishme e këtij rrugëtimi në të cilin, Institucionet dhe ndërmarrjet duhet të ecin bashkë, krah për krah.

Faleminderit dhe ju uroj sinqerisht punë të mbarë!

Ditë të mbarë!