Questo sito utilizza cookies tecnici (necessari) e analitici.
Proseguendo nella navigazione accetti l'utilizzo dei cookie.

Marrëveshja për “Përmirësimi i rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike, në Veri të Shqipërisë, pas tërmetit të vitit 2019”

Nënshkruhet Marrëveshja Ndërqeveritare midis Qeverisë Shqiptare e asaj Italiane në kuadër të nismës “Përmirësimi i rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike, në Veri të Shqipërisë, pas tërmetit të vitit 2019”

Në datën 27 mars, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Edmondo Cirielli dhe Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, znj. Belinda Balluku nënshkruan Marrëveshjen Ndërqeveritare në kuadër të “Përmirësimi i rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike, në Veri të Shqipërisë, pas tërmetit të vitit 2019”, në prani të Ambasadorit të Italisë, Fabrizio Bucci dhe Drejtoreshës së Zyrës së AICS në Tiranë, znj. Stefania Vizzaccaro.

Marrëveshja parashikon një financim, nga ana e Kooperacionit Italian, në shumën prej 35 milionë euro, pjesë e Paketës së ndihmës italiane prej 90 milionë euro kredi për rindërtimin pas tërmetit të vitit 2019. Projekti synon të mbështesë procesin e rindërtimit, duke fuqizuar dhe përtërirë sektorin e energjisë elektrike në Shqipërinë e Veriut nëpërmjet pesë ndërhyrjeve në infrastrukturë dhe modernizimit të linjave të tensionit të ulët e të mesëm në Qarkun e Durrësit dhe të Shkodrës, dy Rajone këto që regjistruan dëmet më të mëdha nga tërmeti.

Nisma do të realizohet nga Ministria shqiptare e Energjisë dhe Infrastrukturës, me pjesëmarrjen e OSHEE-së, i vetmi operator kombëtar i shpërndarjes së energjisë elektrike, i cili do të mbikqyrë realizimin e punimeve.

Përmirësimi i sistemit të transformimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike do të bëjë të mundur uljen e nivelit të humbjeve në rrjet, duke mbështetur kështu rritjen e kapaciteteve civile e industriale në shpërndarjen e energjisë elektrike si edhe duke u garantuar shtetasve shqiptarë një shërbim të vazhdueshëm e cilësor.

Programi fuqizon më tej partneritetin mes Italisë e Shqipërisë dhe përkon, gjithashtu, me përparësitë sektoriale të Qeverisë shqiptare dhe strategjitë e përcaktuara nga Bashkimi Evropian në kuadër të anëtarësimit të Vendit në BE.

firma accordo energia 3

firma accordo energia 2

firma accordo energia 1