Programi Italo- Shqiptar i Konvertimit të Borxhit (IADSA II)
Konferencë për hapjen e thirrjes së dytë për përzgjedhjen e projekteve
Njoftimi për shtyp
Tirane, 31 Mars 2023
U mbajt sot në Hotel Tirana International (Salla Onufri), Konferenca e nisjes së Thirrjes së dytë për përzgjedhjen e projekteve të Programit të Konvertimit të Borxhit Italo-Shqiptar (IADSA II) në prani të Ambasadorit italian në Shqipëri Fabrizio Bucci, Përfaqësueses së AICS, Stefania Vizzaccaro, Ministres shqiptare të Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj, Drejtorit të Agjencisë Shqiptare për Koordinimin e Donatorëve (SASPAC), Ilir Beqaj dhe dy bashkëdrejtorët e Njësisë Teknike të Mbështetjes së IADSA, Basilio Toth dhe Ismail Ademi.
Gara aktuale synon të mbështesë nismat e promovuara nga institucionet publike shqiptare në përputhje me strategjitë dhe prioritetet kombëtare për zhvillim dhe integrim të formuluara nga Qeveria Shqiptare, si dhe me Programin e Bashkëpunimit për Zhvillim ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.
Projektet mund të realizohen në bashkëpunim me organizata jofitimprurëse shqiptare dhe italiane, institucionet lokale italiane, universitete italiane apo shqiptare.
Janë të pranueshme nismat që kanë të bëjnë me këto fusha prioritare të ndërhyrjes: arsimi gjithëpërfshirës dhe cilësor, shërbimet shëndetësore publike dhe mjekësia parandaluese, shërbimet e asistencës sociale për personat në vështirësi, përfshirja sociale e subjekteve vulnerabël, zhvillimi i qëndrueshëm territorial, rritja e turizmit dhe kulturës shqiptare, menaxhim më i mirë i mbetjeve urbane, ndërgjegjësim për përdorimin e energjive të rinovueshme, promovim i zhvillimit bujqësor dhe zgjidhje inovative për zonat e mbrojtura dhe ekosistemet e brishta.
Projektet përzgjidhen përmes thirrjes specifike të publikuara më 20 mars 2023 në faqen e internetit të IADSA.
Afati i fundit për dorëzimin e projekt propozimeve është 22 maj 2023 ora 12:00.
Konferenca ishte e hapur për përfaqësues të institucioneve publike shqiptare, OJQ-ve italiane dhe shqiptare, subjekteve territoriale italiane dhe organizatave ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri.
Gjatë prezantimit para gazetarëve dhe publikut, Ambasadori i Italisë Fabrizio Bucci nënvizoi suksesin që Programi IADSA ka arritur të grumbullojë ndër vite, i karakterizuar nga ndërhyrje me ndikime konkrete në zgjidhjen e problemeve reale të qytetarisë. IADSA përfaqëson gjithashtu një shembull të shkëlqyer të punës ekipore italo-shqiptare.
Përfaqësuesja e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor në Ballkanin Perëndimor, Stefania Vizzaccaro, nga ana e saj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të përfaqësuar nga IADSA, objektivi i së cilës mbetet “të mos lërë askënd pas”. Thirrja e dytë e IADSA prezanton disa risi, duke përfshirë projekte nga 400 deri në 500 mijë euro, bashkëfinancim për aplikantët kryesorë, universitetet si partnerë, komunat si aplikantë kryesorë apo si partnerë, Axhenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj u shpreh se IADSA është ndoshta jo shumë e dukshme, por e rëndësishme për zhvillimin social, barazinë sociale, kategoritë e pafavorizuara dhe zonat më të thella, në përputhje të plotë me politikat e zhvillimit të Shqipërisë.
Drejtori i Agjencisë Shqiptare për Koordinimin e Donatorëve (SASPAC), Ilir Beqaj kujtoi se, edhe në bazë të përvojës së tij, IADSA ka qenë prej vitesh një nga programet më të mira që Shqipëria ka pasur në tridhjetë vitet e fundit. Si ministri ashtu edhe drejtori kanë shprehur shpresën se kjo nuk do të jetë thirrja e fundit e IADSA-s në vend.