Kjo faqe përdor cookie teknike, analitike dhe të palëve të treta.
Duke vazhduar shfletimin, ju pranoni përdorimin e cookies.

OKB-ja në Gjirokastër: Grupet vendore të interesit angazhohen për përshpejtimin e përmbushjes së Objektivave Botërore të Zhvillimit

Gjirokastër, 25 shtator 2019 – Gjatë një jave të mbushur me aktivitete që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit mbi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ) në të gjithë vendin, Gjirokastra mirëpriti një takim tematik me bashkinë kushtuar OZhQ-ve dhe mënyrës se si përkthehen këto objektiva madhorë botërorë në nivel lokal. Kryetarit të Bashkisë Flamur Golemi dhe Prefektit Astrit Aliaj iu bashkuan të ftuar të nderuar: Brian J. Williams – Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri dhe drejtues të agjencive të OKB-së në Shqipëri. Ambasadori italian, Alberto Cutillo, një partner i ngushtë i Qeverisë dhe OKB-së në Shqipëri, ishte i ftuari special i këtij takimi.

Kryetari Golemi vlerësoi mbështetjen e agjencive të OKB-së për kontributin e tyre në Gjirokastër, një qytet i radhitur në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s, dhe nxori në pah se si lidhen përparësitë e tij me Objektivat Botërore të Zhvillimit. “Një prej përparësive kryesore të mandatit tim është bashkëpunimi i ngushtë me partnerët e zhvillimit për t’u siguruar që Gjirokastra të bëhet një qytet model për mbrojtjen e mjedisit dhe për trajtimin e ndryshimeve të klimës duke siguruar në të njëjtën kohë rritjen ekonomike dhe përmirësimin e shërbimeve sociale për qytetarët e tij”, tha ai.

Në emër të Agjencive të OKB-së në Shqipëri, Koordinatori i Përhershëm i OKB-së, Brian J. Williams vlerësoi përkushtimin e autoriteteve vendore dhe palëve të interesuara në Gjirokastër drejt arritjes së Objektivave Botërorë, duke theksuar rolin e rëndësishëm të qeverisë vendore në arritjen e OZhQ-ve. “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm u drejtohen të gjithëve dhe çdo anëtar i komunitetit duhet të jetë i përfshirë në to. Ju, si qeveri vendore, jeni hartuesit e politikave dhe katalizatorët e ndryshimit dhe jeni të pozicionuar më së miri për të lidhur qëllimet globale me komunitetet lokale”, theksoi ai.

Arritjet dhe sfidat e kohërave tona dhe roli i individëve në bërjen e ndryshimeve u përforcuan nga Ambasadori Cutillo, i cili pohoi se “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm janë një sfidë që u përket të gjithëve: qeverive, por edhe njerëzve, sepse zgjedhjet tona mund të bëjnë ndryshimin.”

Takimi u pasua nga një sërë veprimtarish të tjera në qytet me rastin e javës së OZhQ-ve. UN Women Shqipëri, në bashkëpunim me INSTAT, bëri bashkë anëtaret gra të këshillit bashkiak dhe aktorë të tjerë për të diskutuar mbi rolin e të dhënave dhe statistikave në zhvillimin e politikave. Pjesëmarrësit diskutuan për mënyrën se si këto të dhëna mund të përdoren në mbështetje të zbatimit të OZhQ-ve në nivel vendor, duke u fokusuar në OZhQ-në 5, barazia gjinore dhe fuqizimi i grave.

UNICEF-i ishte me fëmijët në Shkollën 9-vjeçare “Koto Hoxhi”, në një diskutim miqësor ndërveprues me fëmijët mbi rëndësinë e OZhQ-ve për fëmijët dhe mënyrat se si ata mund të kontribuojnë. UNHCR-ja i ftoi aktorët lokalë të vizitojnë një qendër sociale të saporehabilituar që ofron akomodim të përkohshëm për azilkërkuesit me nevoja specifike që kërkojnë mbrojtje.

Java e Objektivave Botërore 2019 në Shqipëri nisi në fillim të kësaj jave në Vlorë, ku UNDP-ja organizoi Samitin e Dobisë Shoqërore me qëllim ndërgjegjësimin për krizën klimatike me të cilën po përballen Shqipëria dhe bota dhe i bëri thirrje shoqërisë të ndërmarrë veprime urgjente klimatike nëse Shqipëria synon t’i përmbahet Marrëveshjes së Parisit.

UN Women, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, do të zhvillojë aktivitete rreth OZhQ-ve: në Elbasan për të rritur ndërgjegjësimin e të rinjve të komunitetit mysliman për rolet gjinore dhe në disa seanca informuese në Vlorë me ofruesit e shërbimeve të grave me aftësi të kufizuara.

* * *

Shkarko komunikatën në anglisht

Shkarko komunikatën në shqip