Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Njoftim për Shtyp – Coronavirus: një ekip mjekësh dhe infermierësh italianë në Shqipëri

 

NJOFTIM PËR SHTYP

Coronavirus: një ekip mjekësh dhe infermierësh italianë në Shqipëri

 

Italia në ndihmë të Shqipërisë gjatë emergjencës Covid-19: është nisur sot për Tiranë një ekip i përbërë nga shtatë persona, ndër mjekë dhe infermierë; bashkë me ta edhe një ngarkesë prej 500 mijë maskash kirurgjikale. Një gjest afërsie ndaj një Vendi mik dhe aleat i cili u gjend pranë nesh në momentin më kritik të pandemisë në Itali, duke dërguar personel shëndetësor shqiptar.

Me nxitjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme e të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe nën koordinimin e Departamentit të Mbrojtjes Civile, shtatë persona, personel shëndetësor i Rajonit të Lombardia-s, atij të Piemonte-s, Lazio-s dhe Puglia-s kanë mbërritur në kryeqytetin shqiptar, me një avion të vënë në dispozicion nga Guardia di Finanza. Avioni ka transportuar edhe një sasi maskash kirurgjikale të ofruara nga Komisari i jashtëzakonshëm për emergjencën Covid-19, Domenico Arcuri.

Ekipi, i pritur nga Ministrja shqiptare e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, nga Zëvendës Ministrja Mira Rakacolli dhe nga Ambasadori Fabrizio Bucci, do të konsultojë e asistojë, si edhe do të kryejë veprimtari formimi mbi çështje shëndetësore specifike diagnostikimi dhe luftimi të Covid.

“Qeveria Italiane është shumë e lumtur të ndihmojë Shqipërinë dhe shqiptarët pas gjestit të rëndësishëm të solidaritetit të kryer marsin e shkuar – deklaroi Ambasadori Bucci – as Italia nuk i harron miqtë në vështirësidhe tani detyra jonë është t’i japim një ndihmë të vogël Shqipërisë në këtë moment të vështirë”. Ambasadori theksoi, gjithashtu, se specialistët italianë të mbërritur sot, me eksperiencë të fituar në këtë fushë gjatë muajve të shkuar, do të dinë t’i ndihmojnë kolegët shqiptarë nën të gjitha aspektet e lidhura me menaxhimin e virusit. Ambasadori, duke përsëritur fjalët e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Di Maio, theksoi, në përfundim, se bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për të mposhtur koronavirusin dhe se si ky bashkëpunim përkthehet në një ndihmë të drejtpërdrejtë për vende të dashura e të afërta me Italinë si Shqipëria.

Pritja e ngrohtë e rezervuar për skuadrën italiane i dha rrugë një dite të parë takimesh. Dreka e punës në rezidencën e Ambasadorit u pasua nga një mbledhje e parë teknike në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për të përcaktuar planin e veprimit të javëve të ardhshme.