Sot, 30 maj, në Rezidencën e Italisë, u mbajt Konferenca për Shtyp në të cilën u prezantua “Java e Italisë 2023” që do të zhvillohet prej datës 1 deri më 7 qershor. Të shumtë të pranishmit ndër të cilët Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Në fjalën e tij përshëndetëse Ambasadori Fabrizio Bucci, theksoi se Java nisi në fakt me takimin që u zhvillua, ditën e premte, datë 26 maj, midis Presidentit të Republikës Sergio Mattarella dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj. Ambasadori foli gjithashtu edhe për kremtimet me rastin e Festës së Republikës që, për herë të parë, do të zhvillohet në Sheshin Italia, duke dalë jashtë kufijve të Ambasadës e duke përqafuar, në këtë mënyrë, qytetin e Tiranës dhe popullin shqiptar, për të treguar, edhe njëherë, se “Italia dhe Shqipëria janë tashmë një Vend i vetëm i madh në të cilin dy popujt i bashkon Deti Adriatik, det që sot përfaqëson elementin e bashkimit midis dy popujve tanë”.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përsëriti moton e Javëve kulturore ndërkombëtare duke theksuar “Shqipëria mirëpret botën” dhe nxjerr në pah artistët e mëdhenj si edhe virtutet e përsosmëritë italiane. Margariti u shpreh e kënaqur për programin ambicioz të këtij viti që, për më tepër, sheh bashkëpunimin midis diplomacisë, kulturës, ekonomisë dhe sportit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi falënderoi Italinë për mbështetjen e kulturës dhe gjuhës shqiptare, mbështetje e treguar pikërisht me promovimin e mësimdhënies së shqipes në shkollat e ndryshme italiane. Ministrja risolli në vëmendje edhe projektin “Illiria”, që nxit mësimdhënien e gjuhës italiane në Shqipëri, nismat e shumta të përbashkëta në luftën ndaj braktisjes së shkollës dhe, në mënyrë të veçantë, maratonën “Run for Autism” në mbështetje të personave me aftësi ndryshe dhe ata me autizëm.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, vuri theksin në numrat e jashtëzakonshëm të shkëmbimit tregtar midis Italisë e Shqipërisë dhe mbi lidhjen e fortë që ekziston midis dy Vendeve tona, lidhje kjo e dëshmuar edhe nga projekti i ndërtimit të selisë së re të Ambasadës së Italisë në Tiranë e cila “nuk do të përmbajë vetëm zyrat e diplomacisë italiane në Shqipëri por do të jetë edhe një vend i hapur për të gjithë”. Fjalët përshëndetëse u mbyllën me ftesën për të marrë pjesë në aktivitetet si Pizza Village, Dita Arbëreshë dhe Smart Cities, event në të cilin do të dëshmohet bashkëpunimi i ngushtë midis Tiranës dhe bashkive të Verona-s dhe Vicenza-s, bashkëpunim ky që realizohet nëpërmjet shoqërisë “Eco Tirana”.
Programin e detajuar të aktiviteteve e gjeni në link-un: