Afati përfundimtar për paraqitjen e kandidaturave: 22 mars 2013
Ky njoftim bëhet në kuadër të Memorandumit të mirëkuptimit, të nënshkruar në datën 19 korrik 2011 ndërmjet Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale të Republikës Italiane, që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh në fushën e migracionit për arsye punësimi, të nënshkruar në datën 02 dhjetor 2008.
Njoftimi ka të bëjë me përzgjedhjen e kandidaturave që do të pasohet nga përzgjedhja e 300 shtetasve shqiptarë, që do të bëhet nga Patronato ACLI dhe nga Shoqëria AxL (në vijim “entet e autorizuara”). Për të njëjtin qëllim, një tjetër përzgjedhje mund të bëhet, në vijim, nga ente të tjera italiane.
Kandidatët e përzgjedhur do të kenë mundësinë për të marrë pjesë në kurset e formimit që do të realizohen në kuadër të projekteve të zbatuara nga entet e autorizuara.
Kandidatët që do të përfundojnë kurset do të regjistrohen në listat e preferencës me qëllim punësimin e mundshëm në Itali. Për këtë qëllim profilet e kandidatëve do të vihen në dispozicion të ndërmarrjeve italiane të interesuara.
Sektorët e punësimit për të cilët mund të paraqiten kandidaturat janë si më poshtë:
1) Punonjës shtëpie dhe asistencë familjare
2) Hoteleri – Turizëm
3) Punonjës metalesh dhe mekanikë
4) Fizioterapi dhe Teknikë Ortopedike
5) Pastrim dhe mirëmbajtje e thjeshtë
Përveç sa më sipër, kërkohen aktivitete të sekretarisë teknike në sektorë të ndryshëm, në mënyrë të veçantë atij tregtar.
Ky njoftim u drejtohet të gjithë shtetasve shqiptarë, të cilët:
– kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç,
– janë të interesuar të zhvillojnë një aktivitet punësimi në Itali në sektorët e renditur në pikën 4 në vijim,
– nuk kanë qenë të dënuar nga organet gjyqësore ose në ngarkim të të cilëve nuk janë hapur procedime penale,
– nuk janë të shënuar në sistemin SIS (Schengen Information System) si të papranueshëm në territorin e vendeve të zonës Schengen (në bazë të nenit 32, Titulli III i kodit komunitar të vizave),
– nuk zotërojnë leje qëndrimi për arsye pune në Itali apo leje qëndrimi afatgjatë.
Kandidaturat do të mund të paraqiten deri më 22 mars 2013 (në oraret e funksionimit të zyrave), duke plotësuar një formular të posaçëm regjistrimi, i cili mund të gjendet në faqen e internetit të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (www.mpcs.gov.al) si edhe pranë të gjitha Sporteleve të Migracionit. Formulari i plotësuar i regjistrimit duhet dorëzuar personalisht, së bashku me një dokument identifikimi, në Sportelet e Migracionit pranë Zyrave Rajonale dhe Vendore të Punësimit, ku do të merret një kod personal për kryerjen e regjistrimit. Regjistrimi është i mundur në Sportelet e Migracionit në qytetet e treguara në vijim:
Berat, Bulqizë, Burrel, Delvinë, Devoll, Durrës, Elbasan, Ersekë, Fier, Gjirokastër, Gramsh, Has, Kavajë, Korçë, Krujë, Kuçovë, Kukës, Laç, Lezhë, Librazhd, Lushnje, Mallakastër, Malësi e Madhe, Mirditë, Peqin, Peshkopi, Pogradec, Pukë, Përmet, Sarandë, Shkodër, Skrapar, Tepelenë, Tiranë, Tropojë, Vlorë.
Kandidatët mund të regjistrohen vetëm në Sportelin e Migracionit të rajonit të tyre administrativ.
Procesi i përzgjedhjes parashikon pesë faza të veçanta:
1. Para-përzgjedhja e bazuar mbi kandidaturat (për t’u futur në intervistë).
2. Intervista përzgjedhëse tekniko-motivuese (për t’u futur në kurset e formimit).
3. Frekuentimi i kursit të formimit.
4. Provimi përfundimtar për të verifikuar aftësitë dhe shkallën e njohjes së gjuhës italiane (vetëm për personat që kanë ndjekur të paktën 80% të orëve të kursit formimit)
5. Regjistrimi në listat e preferencës me qëllim punësimin në Itali, mbi bazën e provimit përfundimtar.
Për më shumë hollësi mbi kurset e formimit, mbi sektorët e punësimit, kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes,shikoni njoftimin e plotë (lexo këtu) të publikuar në të gjitha Sportelet e Migracionit për Zyrat e Punës dhe në faqen e internetit të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta,http://www.mpcs.gov.al.