U zhvillua sot, në prani të zv. Kryetarit të Këshillit të Ministrave dhe Ministrit të Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, të Ambasadorit italian në Tiranë, Massimo Gaiani, të Përgjegjësit për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe komunitare të Rajonit të pavarur Friuli Venezia Giulia, Elio de Anna, dhe të Presidentit të Finest Spa, Renato Pujatti, cerimonia e përurimit të Sportelit Finest, zyre që do të japë mbështetje për sipërmarrjet e Italisë verilindore që kërkojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri.
Zyra Finest, shpjegon z. De Anna, me seli pranë Pallatit të Kulturës në Tiranë, do të mbështesë të gjitha sipërmarrjet italiane që kërkojnë hapësira të reja tregu dhe që janë të interesuara të bashkëpunojnë me partnerë shqiptarë, pa ndërprerë aktivitetin prodhues në Itali. Me këtë qëllim, janë nënshkruar nga Finest dy marrëveshje bashkëpunimi me Dhomën e Tregtisë Italo-Shqiptare dhe me Konfindustrinë shqiptare. “Një hap i rëndësishëm – theksoi presidenti Pujatti – drejt ndërkombëtarizimit dhe jo delokalizimit të ndërmarrjeve”. Z. Pujatti kujtoi gjithashtu se Finest është i pranishëm në Shqipëri në sektorë të rëndësishëm si klinika Salus në Tiranë, nismë e Poliklinikës së Triestes që, falë një financimi me vlerë 14.5 milion euro, synon të sjellë në Shqipëri standarde mjekësore evropiane.
Gjatë vizitës së Delegacionit të Rajonit Friuli Venezia Giulia u përuruan edhe tre projekte të kooperacionit të decentralizuar me Shqipërinë.
Projekti i parë, i quajtur “Zhvillimi i Albergo Diffuso” i përket sektorit të turizmit dhe financohet nga Rajoni Friuli Venezia Giulia (me 80 mije euro) dhe UNDP (me 100 mije euro). Synimi është të krijohet një model zhvillimi turistik, mbi bazën e përvojës së suksesshme në zonat malore të Fiuli-t, që parashikon shndërrimin e shtëpive në struktura pritëse, për të ndihmuar ekonomikisht banorët e zonës dhe për të mbrojtur ambientin dhe peizazhin.
Projekti i dytë, i quajtur “Marubi Virtual Museum”, gjithashtu i financuar nga Rajoni Friuli Venezia Giulia dhe UNDP me 120 mijë euro secili, ka qëllim dixhitalizimin e koleksionit fotografik të Muzeut, përzgjedhjen e formimin e personelit dhe administrimin e arkivit dixhital dhe muzeut virtual.
Projekti i tretë dhe i fundit, i quajtur “Agronet” dhe financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit IPA-Adriatico, ka qëllim të krijojë një portal web për logjistikën e prodhimit bujqësor dhe mbështet ne pjesëmarrjen e Agjencive Rajonale Italiane (të rajoneve Friuli Venezia Giulia, Veneto, Emilia Romagna, Molise dhe Puglia), te Sllovenisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, si dhe të Ministrisë së Ekonomisë së Shqipërisë. Siç shpjegoi presidenti i Finest, që ka rol drejtues në këtë projekt, qëllimi është të ndihmojë në zhvillimin e idesë për të krijuar një Makro-Rajon Adriatik-Jonian, që gjen mbështetjen e plotë të Shqipërisë dhe Italisë.